Qershor 4, 2017

Restoranti

Sapo hyn në shtëpi vizitori apo bujtësi i lodhur nga udhëtimi, dëshiron të hajë diçka. Tek sa i afrohet dhomës së madhe të ngrënjes që ndodhet në katin e parë, të bie në sy një vegjë, në të një pëlhurë gjysëm e përfunduar. Tavolinat janë shtruar gati për miqtë, mbulesat e punuara në vegjë nga shkodranet dhe zadrimoret, me fije të kuqe dhe të bardha, kupat e verës dhe enët prej balte.
Guzhina mbështetet në traditën dhe në prodhimet shqiptare. Guzhinë e hershme, duke filluar nga gatimi me enë autentike. Gatimi i kulaçit tradicional me miell misri të bardhë nga Malsia dhe çervishi, e deri tek peshku dhe mishi. Pijet shqiptare, kryesisht prodhime të zonës së Shkodrës.

 

Zona e Shkodrës njihet për mishin e Malsisë, peshkun e liqenit dhe të lumenjve, prodhimet e freskëta të detit, pa harruar vreshtarinë dhe pemëtarinë, produkte këto që pasurojnë guzhinën mikpritëse të Traditës. Djathi sereme gatuar në enë balte, tava e peshkut dhe fileto e krapi, po ashtu gatuar në enë balte. Peshku në kos, fileto në zgarë, trofta e egër, këpurdha dhe boronica të egra. Mishi i freskët, si viçi i qumshtit, keci i pranverës, qingji, derri i malësisë, derri i egër i gatuar në salçiçe dhe fileto të pjekura në prush, bashkë me kulaçin, bukën, peshkun dhe perimet.


Guzhina mbështetet në traditën dhe në prodhimet shqiptare


I dëgjuar është edhe djathi i dhisë, falë mjeshtrëve të baxhës që ruajnë me fanatizëm traditën e përpunimit të bulmetit, ai nuk mungon asnjëherë në guzhinën e Traditës. Djathi i priftit të Vermoshit, ai i Gjirokastrës. Mishi pastërma dhe mishi i thatë, erëzat që vijnë nga zona përreth, sherebela, rigoni i bregut, çaji i malit të Çajupit, rozmarina e koplikut, trumxa e malësisë, dëllinja e kuqe dhe e zezë, na joshin me pijet e veta. Reçelnat, ai i thanës dhe i ftoit, deri tek prezenca e uthullës së manit, mollët e egra, apo mbreti i vajit të ullirit siç është ai i Qeparoit prodhuar nga Gjikondi, i japin gatimeve një shije të rrallë dhe origjinale. Sallatrat e dimrit nuk mungojnë, patëllxhanat dhe ullinjtë e jugut, fasulja pllaqi, dhe bathët e Korçës me piperkat turshi si dhe grosha e Shalës, janë në tavolinë.


Oxhaku ndizet në mesditë dhe gacat e fundit të prushit, shuhen vonë pas mes nate, pasi është larguar vizitori i fundit.


Tespixhe, embëlsira tradicionale shkodrane, kosi i traditës Gegë & Toskë me komposto ftoi, glikot, dhe frutat e pyllit, shtrohen në tryezë paralel me verën e re, kur vilet rrushi e deri kur mbërrijnë pashkët në pranverë. Të gjitha këto elementë së bashku krijojnë një atmosferë ftuese për vizitorët e rinj dhe miqtë e vjetër të traditës. Oxhaku i madh qëndron në ballë të dhomës së madhe të ngrënies ( restorantit), çdo ushqim gatuhet në çast aty. Oxhaku ndizet në mesditë dhe gacat e fundit të prushit, shuhen vonë pas mes nate, pasi është larguar vizitori i fundit.

HOTEL TRADITA